Kosova po vazhdon të përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit veror edhe këtë të mërkurë, ndërsa temperaturat ekstreme mbeten prezente në të gjithë territorin.
Sipas parashikimeve, dita do të karakterizohet nga mot i kthjellët, me diell dhe shumë i nxehtë. Edhe pse mund të shënohet një ulje e lehtë në temperatura, kjo pritet të mos ndjehet ndjeshëm nga qytetarët. Temperatura minimale do të luhatet rreth 18°C, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 36°C apo 37°C në disa zona.
Në orët e vona të pasdites, në disa rajone malore – kryesisht në zonën e Rugovës – mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu, shoqëruar me vetëtima dhe bubullimë, megjithatë këto do të jenë fenomene lokale dhe të përkohshme.
Edhe vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi do të përjetojnë mot të ngjashëm, me temperatura të larta dhe vapë të fortë verore gjatë gjithë ditës së nesërme.
Autoritetet shëndetësore dhe meteorologët u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të parandaluar dehidratimin.