Sot, më 2 janar, do t’i jepet lamtumira e fundit ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i cili ndërroi jetë në ditën e parë të vitit 2026.
Ceremonitë mortore do të zhvillohen sipas një agjende zyrtare të publikuar nga familja Daci, ndërsa varrimi do të bëhet me nderime shtetërore në Varrezat e Dragodanit në Prishtinë.
Homazhet për të ndjerin do të mbahen nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë, bashkëpunëtorë institucionalë dhe personalitete të jetës publike do të kenë mundësinë të shprehin nderimet e tyre.
Më pas, nga ora 12:00 deri në 12:45, në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës do të organizohet Akademia Përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Nexhat Dacit.
Ceremonia e varrimit me nderime shtetërore do të mbahet nga ora 13:40 deri në 14:20 në Varrezat e Dragodanit.
Familja Daci ka falënderuar publikisht të gjithë qytetarët, miqtë dhe dashamirët për ngushëllimet dhe respektin e treguar në këto momente zie.
Ndërkaq, e pamja për të ndjerin do të mbahet nga data 3 deri më 5 janar, në Hotel “Sirius”, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 17:00.
Nexhat Daci ishte një nga figurat kyçe të jetës politike dhe akademike të Kosovës, kryetari i parë i Kuvendit pas luftës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Kujtimi për të pritet të mbetet i përhershëm në historinë institucionale të vendit.

