Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon sot procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, i cili lidhet me akuzat për administrim të drejtësisë.
Në seancën e sotme pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i tretë i Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Kelly, i cili është kontraktor me kohë të pjesshme në këtë institucion dhe merret me hetime kriminalistike digjitale.
Kelly, i cili është zyrtar i Prokurorisë dhe ekspert në forenzikën digjitale, gjatë dëshmisë së tij një ditë më parë ka deklaruar se gjatë ekzaminimeve të kryera nuk ka identifikuar ndonjë komunikim mes Fadil Fazliu dhe Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.
Arrestimet dhe procedurat pas aktakuzës
Pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, më 5 dhjetor 2024 Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja dhe një ditë më pas u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ndërkohë, Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi mori fletëthirrjen për paraqitjen e parë para gjykatës.
Deklarimet për pafajësi
Gjatë paraqitjes së parë më 8 dhjetor 2024, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan lidhur me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj gjithashtu u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të paraqesin deklarimet e tyre me shkrim deri më 7 janar 2025.
Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u deklarua i pafajshëm, ndërsa deklarimi për pafajësi i Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.
Fillimi i procesit gjyqësor
Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi se dosja e çështjes ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues. Më 12 nëntor 2025, çështja iu kalua gjykatësit të vetëm për shqyrtim.
Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi në këtë rast filloi zyrtarisht më 27 shkurt 2026.

