Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të dalë sot përpara Gjykatës së Posaçme, ku SPAK pritet të dorëzojë raportin dy mujor të hetimeve, përpara se të vendoset nëse masa e sigurisë “arrest me burg” do të mbetet në fuqi apo do të zbutet.
Seanca është caktuar për në orën 11:30, ndërsa avokati i Veliajt, Ermir Beta, ka sinjalizuar se mund të kërkojë lehtësimin e masës së sigurisë, në varësi të përmbajtjes së raportit të SPAK.
Seanca u shty, biznesmeni bashkëhetues në arrest shtëpie
Gjykimi ndaj Veliajt ishte parashikuar më 13 qershor, por u shty për shkak të mungesës së një bashkëhetuesi kyç – biznesmenit Elman Abule, i cili ndodhet nën masën e arrestit në shtëpi. Ai akuzohet për pastrim parash dhe u arrestua në të njëjtën ditë me Veliajn, më 10 shkurt 2025.
Akuzat e rënda ndaj Veliajt dhe bashkëpunëtorëve
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa akuzohen për ngritjen dhe funksionimin e një skeme të sofistikuar korrupsioni, ku përmes fondesh publike, OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara prej tyre, janë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash dhe pasuri.
Veliaj akuzohet për:
-
Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim (në të paktën 9 raste)
-
Pastrimi i produkteve të veprës penale
Ndërkohë, Ajola Xoxa akuzohet edhe për:
-
Mosdeklarim dhe fshehje të pasurive
-
Mosraportim të përfshirjes në borde të OJF-ve me veprimtari fitimprurëse
Sipas hetimeve, fondet publike të dhëna me firmën e kryebashkiakut janë përdorur për sponsorizime, pagesa fiktive, leje ndërtimi dhe përfitime të tjera, që në fund kanë përfunduar në llogaritë e personave të afërt me të. Për pasuritë e përfituara nga skema, është vendosur sekuestro preventive, përfshirë një vilë në Qerret dhe llogari bankare me vlerë rreth 870 mijë euro.
Gjithashtu, në një kontroll në ambientet e një prej shoqërive të administruara nga Xoxa, u sekuestruan:
-
95,350 euro
-
14,900 USD
-
665,000 lekë në para cash
Përfshirja e emrave të tjerë dhe një deputeteje në hetim
Hetimet kanë përfshirë edhe disa biznesmenë të njohur, si Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi, të cilët dyshohet se kanë dhënë përfitime të paligjshme në formën e sponsorizimeve, pronave dhe pagesave fiktive.
Po ashtu, deputetja Klotilda Bushka është futur zyrtarisht në regjistrin e hetimeve si person nën dyshim për pengim të zbardhjes së së vërtetës, në lidhje me çështjen penale ku Veliaj është në qendër.
SPAK: Sistemi i korrupsionit ishte i organizuar dhe i qëndrueshëm
SPAK thekson se kemi të bëjmë me një strukturë të organizuar korrupsioni të udhëhequr nga Veliaj dhe bashkëshortja e tij, që ka operuar për rreth 4 vite, duke gjeneruar përfitime të paligjshme të përmasave të mëdha. Shuma prej rreth 110 milionë lekësh është dokumentuar si pjesë e të ardhurave të dyshimta të përfituara përmes shoqërive të lidhura me të.
Në fund të seancës së sotme, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë për fatin e Veliajt, ndërsa opinioni publik dhe klasa politike ndjekin nga afër këtë proces, që po konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të pushtetit vendor.