Teksa kriza politike po thellohet dhe institucionet mbeten pa zgjidhje të qartë, në skenë po përmenden gjithnjë e më shumë zgjedhjet e jashtëzakonshme si rruga e vetme për dalje nga ngërçi. Dy datat që po qarkullojnë si opsione më të mundshme janë 31 maji dhe 7 qershori.
Gara për postin e presidentit ka rikthyer përplasjet mes partive politike në Kosovë. Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, dhe marrëveshje duket se nuk do të ketë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sulmuar të martën opozitën, duke ua faturuar dështimin për arritjen e një marrëveshje për presidentin. Kreu i PDK-së, ka thënë se për ta kjo “punë është kryer”, e ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se me Kurtin nuk do të takohen më për këtë çështje.
Kurti i ofroi LDK-së postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe tri ministri të tjera. Ai tha të martën se edhe Partisë Demokratike ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit në këmbim të votave për presidentin dhe pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
Kurti e ka akuzuar opozitën për bllokim të institucioneve dhe mospranim të rezultatit zgjedhor. Ai theksoi se legjislatura e dhjetë duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
“Unë i kam ofruar kryetarit të PDK-së Bedri Hamza që të bëhet një rrokadë ndërmjet kryetares aktuale të Kuvendit dhe nënkryetarit të PDK-së. Lirisht PDK ta bën kryetar Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun, Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit dhe vazhdojmë tutje.”
Kurti e cilësoi ofertën si koncesion të madh nga ana e tij.
Ai shtoi se disa figura të Lëvizja Vetëvendosje kanë marrë më shumë vota se liderët opozitarë.
“Katër veta në VV kanë më shumë vota se Bedri Hamza… ndërkaq nëse e krahasoni me LDK-në, dhjetë veta në Vetëvendosje janë më të votuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.”
Kurti foli sërish edhe për ofertën për bashkëqeverisje me LDK-në.
“Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër dhe njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe t’i ketë katër ministri… oferta jonë është shumë gjeneroze.”
Në fund, ai akuzoi opozitën për mungesë vullneti për zhbllokim të situatës. “Ata nuk janë të interesuar të zhbllokojnë.”
Kurti mes tjerash ka deklaruar se LDK dhe PDK me numrat që i kanë, s’mund t’ia mbledhin as edhe një kandidati nënshkrimet për ta kandiduar për president.
Ai ka thënë se s’mund t’iu japë diçka të cilën s’ua ka dhënë populli.
“Çka të bëjmë me rezultatin zgjedhor. Ata s’i kanë votat as me ia mbledhë nënshkrimet një kandidati. 22 deputetë të PDK’së s’mjaftojnë me apliku. A keni apliku për punë ju naj herë, kur s’i dokumentet s’mundesh me apliku. Ju po thoni me ia dhanë, s’ia ka dhanë populli, qysh me ia dhanë unë kur s’ia ka dhanë populli”, ka thënë Kurti.
“Unë jam super gjeneroz. Duhet t’i pyesni ata që me këta numra të ultë që i kanë, i bëjnë këto refuzime” , ka shtuar ai.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se për partinë që ai e drejton çështja e presidentit është “është kryer”. Hamza e ka akuzuar Kurtin për mungesë seriozitetit.
I pyetur nëse LVV-ja do të ua kërkonte PDK-së ta propozonin presidentin, a do ta pranonin këta të fundit, Hamza tha: “U kry ajo punë”.
“Është diskutu gjërë e gjatë kjo temë, është konstatu se nuk ka pasur vullnet nga partia fituese dhe Kurti që vendit t’i japë president”, tha Hamza sot në një deklaratë për mediat.
Hamza, ka përsëritur se për partinë që ai e drejton procesi i zgjedhjes së presidentit konsiderohet i mbyllur. Këtë tha se e ka vendosur Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen që e ka mbajtur.
E ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha dje se ka shprehur gatishmëri për një marrëveshje të mirëfilltë politike, por vetëm nëse përfshihet edhe çështja e presidentit.
Sipas tij, pala tjetër ka ofruar diskutime për poste të tjera, por jo për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“I jam përgjigjur takimit. Në këtë përgjigje të takimit i kam shfaqur gatishmërinë që mund të bëjmë një marrëveshje klasike politike për çështjen e presidentit. Dhe pa këtë marrëveshje klasike politike, s’mund të flasim për çështje të tjera. Ai ofronte çështje të tjera, por nuk ofronte çështjen e presidentit…
Ne e kemi pas takimin e parë. Dhe kur jemi ulur në takimin parë ka thënë, gjasat me të mëdha i kemi me shku në zgjedhje. I thash unë jam ardh me shku në zgjedhje. Jam ardh me bë zgjidhje për të mos shkuar në zgjedhje. Po kishte të drejtë çka fliste, nëse nuk bëjmë asgjë shkojmë në zgjedhje. Por, se gjasat më të mëdha t’i kemi zgjedhjet, ishte një qasje jo fortë…”, ka thënë Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Afati për zgjedhjen e presidentit, sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, skadon më 28 prill. Nëse deri atëherë nuk presidenti, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
