Autoritetet e Venezuela kanë shpallur një amnisti të përgjithshme dhe kanë njoftuar mbylljen e qendrës famëkeqe të paraburgimit El Helicoide në Karakas, ku për vite me radhë janë mbajtur persona që opozita dhe organizatat e të drejtave të njeriut i konsiderojnë si të burgosur politikë.
Lajmin e bëri të ditur Delcy Rodríguez, e cila deklaroi se projektligji për amnisti do të depozitohet në parlament dhe do të mbulojë “të gjithë periudhën e dhunës politike nga viti 1999 e deri më sot”.
“Ky ligj synon shërimin e plagëve të shkaktuara nga përplasjet politike dhe do t’i hapë rrugë një bashkëjetese të re mes qytetarëve,” tha Rodríguez para Gjykatës së Lartë.
Mbyllet El Helicoide, shndërrohet në qendër sociale
Rodríguez konfirmoi gjithashtu se El Helicoide, i cilësuar nga OJQ-të si qendër torturash, do të mbyllet dhe ambientet e tij do të shndërrohen në qendër sociale, sportive, kulturore dhe tregtare për familjet e policisë dhe komunitetin lokal.
Vendimi vjen më pak se një muaj pas operacionit ushtarak të SHBA-së që çoi në kapjen e Nicolás Maduro.
Lirime të ngadalta, shifra të kundërshtuara
Autoritetet venezueliane pretendojnë se mbi 800 të burgosur politikë janë liruar, ndërsa organizata joqeveritare Foro Penal kundërshton shifrat, duke raportuar 383 lirime, prej të cilave 266 pas 8 janarit.
Sipas Foro Penal, 711 persona vijojnë të mbahen në burg, përfshirë 65 shtetas të huaj. Familjarët e të ndaluarve kanë ngritur kampe pranë burgjeve, në pritje të lirimit të të afërmve.
“Këto amnisti janë pozitive vetëm nëse nuk çojnë në pandëshkueshmëri,” deklaroi drejtori i Foro Penal, Alfredo Romero.
Reagime nga opozita dhe SHBA
Deputeti opozitar Tomás Guanipa e cilësoi vendimin si “fillimin e fundit të epokës së represionit”. Ndërkohë, liderja e opozitës dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2025, María Corina Machado, deklaroi se masat janë rezultat i presionit amerikan dhe shprehu shpresë për ribashkimin e shpejtë të të burgosurve me familjet e tyre.
Si shenjë afrimi mes Karakasit dhe Uashingtonit, pritet mbërritja në Venezuelë e diplomates amerikane Laura Dogu, çka shënon një kthesë në marrëdhëniet mes dy vendeve pas ndërprerjes së tyre në vitin 2019.

