Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur mirënjohje publike për përkrahjen masive që ka marrë protesta e paralajmëruar për datën 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një njoftimi zyrtar, organizata vlerëson si jashtëzakonisht të madhe përfshirjen e qytetarëve, të cilët, përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të tjera, kanë konfirmuar mbështetjen e tyre ndaj kauzës që synon të denoncojë padrejtësitë dhe të kërkojë drejtësi.
“Interesimi i qytetarëve është dëshmi e vetëdijes së lartë qytetare dhe e përkushtimit për drejtësi”, thuhet në reagimin e Këshillit Organizues të OVL-UÇK-së.
Organizata falënderon gjithashtu partitë politike, për mbështetjen publike që i kanë dhënë protestës, si dhe shoqërinë civile për zërin e arsyes dhe mediat, për raportimin e ndershëm dhe të balancuar.
“Bashkë, me dinjitet dhe paqë, do të ngremë zërin kundër padrejtësive”, thuhet në fund të njoftimit.
Protesta pritet të jetë paqësore, me pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe me theks të veçantë në ruajtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të vlerave demokratike.