Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar për 25 ditë punën e Kuvendit të Kosovës, si pjesë e një mase të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.
Në reagimin e saj, VV ka vlerësuar se ky vendim përbën një “ndalim të padrejtë” të funksionimit të 120 deputetëve dhe bie ndesh me parimet e funksionalizimit të Kuvendit, si një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit.
“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së Kuvendit është në kundërshtim të plotë me parimet e demokracisë,” thuhet në deklaratën e VV-së.
Sipas lëvizjes, ky vendim ka ardhur si pasojë e faktit që Lista Serbe nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për postin e nënkryetarit të Kuvendit, ndërsa pezullimi i punës parlamentare po e çon procesin e konstituimit në 112 ditë pritje, që nga 15 prilli kur nisi procedura.
VV ka kritikuar edhe mënyrën e arsyetimit të Gjykatës, duke thënë se në dokumentin 15 faqesh është theksuar disa herë pretendimi i Listës Serbe për “ekskluzivitet” në propozimin dhe zgjedhjen e nënkryetarit, gjë që, sipas VV-së, “nuk është e paraparë në Kushtetutë dhe bie ndesh me frymën e organizimit të shtetit të Kosovës”.
“Çdo interpretim i tillë do të ngurtësonte një të drejtë vetoje nga Lista Serbe, gjë që nuk i takon asaj e as ndonjë partie tjetër me vende të rezervuara,” thekson më tej deklarata.