Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar sot kandidaturën e ministrit aktual të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen.
Kandidatura e Çekut është miratuar në mënyrë unanime nga qendra e VV-së në Prishtinë. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i degës së kësaj partie në kryeqytet, Arben Vitia.
“Në mënyrë unanime, qendra e Prishtinës zgjodhi që Hajrulla Çeku të jetë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës,” deklaroi Vitia.
Me këtë vendim, Vetëvendosje synon ta rikthejë drejtimin e Komunës së Prishtinës, pas katër vjetëve nën udhëheqjen e Përparim Ramës nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Rama kishte mposhtur Arben Vitinë në balotazh, duke i dhënë fund mandatit të mëparshëm të VV-së në kryeqytet.
Pas fitores në zgjedhjet parlamentare me 42% të votave, Vetëvendosje po tenton ta përforcojë prezencën në nivel lokal, me Prishtinën si një nga betejat kyçe elektorale. Kjo kandidaturë pritet të ndezë garën për kryeqytetin, ku përballja pritet të jetë mes figurave të profilit të lartë politik.