Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në Prishtinë, pasi ka lokalizuar dhe sekuestruar një veturë që ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet suedeze.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar nga njësitet e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve të Kryeqytetit. Gjatë aksionit policor, përveç veturës së kërkuar, janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy armë zjarri si dhe municion.
Automjeti i sekuestruar është dorëzuar për trajtim të mëtejmë njësive kompetente të Policisë së Kosovës, ndërsa ndaj të dyshuarit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.

