Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jerusalem nga 25 deri më 27 janar, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Rama shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Pika kulmore e vizitës do të jetë fjalimi i kryeministrit në seancën plenare speciale të Knesset, Parlamenti i Izraelit, i parashikuar për nesër në orën 16:15. Ky fjalim zhvillohet sipas një protokolli të posaçëm që Knesseti ua rezervon një numri të kufizuar udhëheqësish botërorë; së fundmi, një fjalim të tillë mbajti edhe Donald J. Trump.
Sipas axhendës zyrtare, të hënën Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i ndjekur nga takimi i dy delegacioneve dhe një deklaratë për shtyp. Paralelisht, Linda Rama, së bashku me bashkëshorten e presidentit izraelit Isaac Herzog, do të vizitojë Bibliotekën Kombëtare të Izraelit.
Në orët e pasdites, kryeministri shqiptar do të pritet në Knesset me ceremoni shtetërore, përfshirë rojet e nderit, himnet kombëtare dhe vendosjen e kurorave në monumentet për ushtarët e rënë dhe viktimat e terrorit. Më pas, ai do të nënshkruajë Librin e Përshtypjeve dhe do të zhvillojë takim me kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.
Seanca plenare speciale do të përfshijë fjalime nga kryetari i Knessetit, kryeministri Netanyahu, lideri i opozitës Yair Lapid dhe kryeministri Rama. Pas seancës, do të organizohet një pritje zyrtare në nder të delegacionit shqiptar.
Më 27 janar, Rama do të mbajë një fjalë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, në praninë e presidentit Herzog. Gjatë qëndrimit në Jerusalem, kryeministri do të kryejë edhe vizita simbolike në Muri i Lotëve dhe në Kishën e Varrit të Shenjtë.

