Prishtinë, 20 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për kërkesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese për pezullim të punës së Kuvendit, duke e cilësuar të panevojshme këtë lëvizje dhe duke theksuar se vonesat po dëmtojnë interesat e Kosovës dhe të qytetarëve, përfshirë serbët.
“Ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat e kanë penguar interesin e Kosovës. Është në interes të vendit të kemi qeveri me mandat të plotë sa më shpejt,” tha Osmani gjatë një aktiviteti në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit.
Ajo theksoi se krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike dhe se si presidente nuk mund të ndërhyjë. Nëse as partia e parë e as ajo e dytë nuk arrijnë të sigurojnë shumicën, afatet dhe procedurat e përcaktuara me Kushtetutë dhe aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese do të zbatohen.
Duke folur për mungesën e informacionit për përpjekjet e partive për sigurimin e votave, Osmani shtoi:
“Shumica e diskutimeve me partitë politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura. Vetëm se ne nuk e dimë, nuk do të thotë se ato nuk janë duke ndodhur. Përvoja ime tregon se shpesh merrni vesh shumë vonë për koalicionet që po përgatiten.”
Presidentja theksoi se nuk do të ngutet për të dhënë supozime mbi dështimin e krijimit të qeverisë, pasi ka ende kohë për konsultime mes partive politike.

