Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar mbrëmë në qytetin historik të Papëve, në Anagni të Italisë, me Çmimin prestigjioz “Bonifacio VIII”, dhënë nga Akademia Bonifaciana.
Ky vlerësim i është ndarë si njohje për angazhimin e saj institucional në promovimin e paqes, si dhe për kontributin në bashkëpunimin ndërkulturor e ndërfetar—vlera që Akademia i vendos në themel të misionit të saj.
Osmani tha se ky çmim, i cili më herët i ishte dhënë edhe Papa Gjon Palit II, forcon edhe më shumë përkushtimin e saj ndaj drejtësisë, dinjitetit dhe paqes.
“Ky vlerësim i përket vlerave të përhershme mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e drejtë,” u shpreh Presidentja, duke e cilësuar çmimin si një nder ndaj misionit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

