Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në nderim të veprimtarëve të shquar kombëtarë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në përvjetorin e rënies së tyre.
Në një deklaratë të publikuar përmes një videoje në faqen zyrtare të Presidencës, Osmani theksoi se 17 janari është një nga ditët më të rënda për historinë e popullit shqiptar, por njëkohësisht edhe një ditë krenarie kombëtare.
“17 janari është një prej ditëve më të kobshme për kombin tonë, për popullin tonë”, u shpreh presidentja Osmani, duke kujtuar vrasjen mizore të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Ajo rikujtoi se kjo datë shënon edhe humbje të tjera të mëdha historike për kombin shqiptar, përfshirë vrasjen e Smajl Hajdarajt, si dhe ndarjen nga jeta të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Një ditë e humbjeve të shumëfishta, por njëkohësisht edhe një ditë krenarie për kombin tonë”, theksoi Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e sakrificës së këtyre figurave në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Homazhet u zhvilluan në frymën e respektit dhe kujtesës historike, duke riafirmuar përkushtimin institucional për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe vlerave për të cilat ranë këta veprimtarë.

