Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Administrata amerikane ka miratuar vazhdimin e programit të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën, një iniciativë që pritet të ketë ndikim të madh në sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në një postim në rrjete sociale, Osmani bëri të ditur se ky vendim u konfirmua zyrtarisht nga Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, gjatë vizitës së saj në Washington D.C., ku zhvilloi disa takime të rëndësishme.
“Pas takimeve të shkëlqyeshme në Washington D.C., ku diskutuam për rëndësinë e Kompaktit të MCC për Kosovën, jam informuar zyrtarisht nga Zv. Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e këtij programi — një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka përfunduar ajo, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi për të ardhmen e vendit.