Zëvendëskryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministrit Albin Kurti, duke i akuzuar për sulme të vazhdueshme ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Sipas saj, Kurti dhe partia e tij, në mungesë të argumenteve, po përdorin “sulme, shpifje dhe linçim politik”, gjë të cilën e cilësoi si mentalitet totalitar që rrezikon demokracinë dhe synon shembjen e ndarjes së pushteteve në vend.
“Albin, mendoje mirë: PDK nuk nënshtrohet dhe nuk frikësohet. Përpjekjen tënde për ta kthyer arrogancën dhe përbaltjen në normë politike do ta frenojmë,” shkroi Çitaku në një reagim publik.
Ky reagim vjen pas tensioneve të shtuara mes pushtetit dhe opozitës lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rolin e saj në sistemin politik të vendit.