Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe ndërmjet Ukrainës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë do të mbahet të mërkurën dhe të enjten në Abu Dhabi.
“Ekziston tashmë një marrëveshje për një takim trepalësh në nivelin e duhur. Ky takim do të zhvillohet siç është planifikuar, të mërkurën dhe të enjten në Emirate, ashtu si herën e kaluar”, deklaroi Zelensky.
Konfirmimi vjen vetëm dy ditë pasi i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, njoftoi se kishte zhvilluar takime produktive dhe konstruktive me përfaqësuesin rus Kirill Dmitriev në Miami, në kuadër të përpjekjeve të administratës së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare në Ukrainë.
Raundi i parë i negociatave trepalëshe u zhvillua më 23–24 janar, por pa përparim të ndjeshëm, veçanërisht në çështjen e territorit. Si Moska ashtu edhe Kievi janë shprehur të hapur për vazhdimin e dialogut.
Zelensky ka pranuar se ekzistojnë dallime thelbësore mes qëndrimeve të palëve, duke theksuar se çështjet territoriale mbeten pika kryesore e mosmarrëveshjes. Kremlini këmbëngul se për një marrëveshje paqeje, Ukraina duhet të tërheqë trupat nga zonat lindore që Rusia i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme, por që nuk i kontrollon plotësisht.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump më 29 janar deklaroi se i kishte kërkuar presidentit rus Vladimir Putin ndalimin e bombardimeve ndaj qyteteve ukrainase për një javë. Moska njoftoi se një armëpushim i kufizuar do të vlente vetëm për Kievin dhe do të zgjaste deri më 1 shkurt.
Pavarësisht këtyre deklarimeve, Rusia ka vazhduar në ditët e fundit sulmet ndaj infrastrukturës civile në disa qytete ukrainase, duke rritur tensionet përpara raundit të ri të bisedimeve.
