Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një intervistë për Lena (Aleanca Kryesore Evropiane e Gazetave) ka paralajmëruar se Evropa po kalon një periudhë shumë të rrezikshme, duke theksuar nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Bashkimit Evropian dhe për autonomi strategjike, pavarësisht mbështetjes së NATO-s.
“Incidentet e fundit, përfshirë sulmin në Poloni, tregojnë qartë se nevojitet një shtyllë europiane më e fortë në mbrojtje. Europa duhet të jetë më e vetë-mjaftueshme dhe e pavarur për sigurinë e saj”, tha Von der Leyen. Ajo theksoi programin “Gatishmëria për 2030”, i cili parashikon investime deri në 800 miliardë euro në industrinë e mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve të BE-së për t’u përballur me kërcënime hibride, kibernetike dhe ndërhyrje në sistemet GPS nga Rusia.
Në fushën energjetike, Von der Leyen theksoi rëndësinë e diversifikimit dhe uljes së varësisë nga Rusia përmes investimeve në burime të rinovueshme, duke ruajtur bashkëpunimin me SHBA-në. “Siguria energjetike nuk do të thotë pavarësi totale. BE mbetet e ndërthurur me tregjet globale dhe partneriteti me SHBA është thelbësor”, shtoi ajo.
Presidentja e Komisionit gjithashtu komentoi marrëdhëniet tregtare me SHBA-në, duke theksuar se shmangia e një lufte tregtare ishte e domosdoshme për interesin e Evropës dhe vendeve të punës. Ajo mohoi zërat për kandidaturë si presidente e Gjermanisë dhe konfirmoi angazhimin për të përfunduar mandatin e saj në Komisionin Europian.
Sa i përket konfliktit në Gaza, Von der Leyen kërkoi armëpushim të menjëhershëm dhe përforcoi se zgjidhja me dy shtete mbetet rruga e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon.
Në intervistë, Von der Leyen u ndal edhe te sfidat e BE-së për të balancuar mbrojtjen, pavarësinë energjetike dhe Green Deal, duke theksuar se të gjitha këto prioritetet janë të ndërlidhura dhe kontribuojnë në forcimin e njëra-tjetrës.
Intervista e plotë është publikuar nga La Repubblica.