Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për unitet politik brenda Bashkimit Evropian, ndërsa përballet me dy mocione të njëpasnjëshme mosbesimi në Parlamentin Evropian. Ajo paralajmëroi se çdo përçarje brenda bllokut rrezikon të shfrytëzohet nga kundërshtarët e jashtëm, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Rusisë dhe Presidentit Vladimir Putin.
“Ky është një kurth. Dhe ne thjesht nuk mund të biem pre e tij,” deklaroi Von der Leyen gjatë fjalimit të saj në Strasburg, duke theksuar se Putini po synon të nxisë ndarje dhe mosbesim brenda Evropës.
Von der Leyen po përballet me dy mocione mosbesimi të paraqitura nga grupet e ekstremit të majtë dhe të djathtë, vetëm tre muaj pasi ajo i mbijetoi një mocioni të ngjashëm. Asnjëri prej mocioneve nuk pritet të ketë sukses, por ato janë shndërruar në një simbol të pakënaqësive politike ndaj presidencës së saj.
“Qëllimi i unitetit nuk është që të biem dakord për çdo detaj,” tha ajo. “Tensioni dhe debati janë pjesë e natyrshme e demokracisë, por sot më shumë se kurrë duhet të përqendrohemi në pamjen e madhe.”
Në fjalimin e saj, Von der Leyen iu referua edhe inkursioneve të fundit të dronëve rusë dhe një fjalimi të Putinit, i cili akuzoi BE-në për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë. Ajo paralajmëroi se Rusia po përpiqet të përhapë dezinformata dhe përçarje për të dobësuar qëndrueshmërinë evropiane.
“Ky është truku më i vjetër në libër — mbjellja e përçarjeve, përhapja e dezinformatave dhe krijimi i një koke turku. E gjitha kjo për t’i kthyer evropianët kundër njëri-tjetrit dhe për të dobësuar vendosmërinë tonë,” shtoi ajo.
Dy mocionet e paraqitura kundër saj vijnë nga grupimi “Patriotët për Evropën” dhe nga e Majta Evropiane. Patriotët e akuzojnë Komisionin për dështime në menaxhimin e migracionit dhe rritjen e burokracisë, ndërsa e Majta e sulmon për bashkëpunim me të djathtën ekstreme dhe për heshtje ndaj luftës në Rripin e Gazës.
“Zonja von der Leyen, duhet të largoheni. Është koha për një drejtim të ri,” deklaroi Manon Aubry, bashkëkryetare e grupit të së Majtës.
Ndërkohë, Von der Leyen kërkoi që institucionet evropiane të përqendrohen në rezultate konkrete për qytetarët. “Ne duhet të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi — të ofrojmë rezultate për evropianët,” theksoi ajo.
Votimi për dy mocionet e mosbesimit do të zhvillohet të enjten në orën 12:00 CET. Grupet kryesore në Parlamentin Evropian — Partia Popullore Evropiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D), liberalët e Renew Europe dhe pjesa më e madhe e të Gjelbërve — pritet të votojnë kundër mocioneve, duke i siguruar Von der Leyen-it një tjetër mbijetesë politike.