Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Turqisë, duke e akuzuar për “shkelje të brutale të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”, si dhe për “vazhdimin e armatosjes së autoriteteve në Prishtinë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Vuçiç deklaroi se veprimet e Ankarasë përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së autoriteteve të Prishtinës. Tani është krejtësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe se po ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por e kemi kuptuar qartë mesazhin,” shkroi Vuçiç.
Deklarata e presidentit serb vjen pas tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës, ku përplasjet sporadike mes komuniteteve serbe dhe forcave të sigurisë së Kosovës kanë rindezur shqetësimet për sigurinë rajonale.
Ekspertët e sigurisë kujtojnë se, ndonëse Rezoluta 1244 e OKB-së (1999) kufizon shitjen e armëve drejt Kosovës, ajo lejon përdorimin e armëve për forcat ndërkombëtare civile dhe të sigurisë, përfshirë ato që veprojnë në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.
Turqia, ndërkohë, mbetet një nga aleatët më të fuqishëm të Kosovës dhe ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e saj në vitin 2008. Në janar të vitit 2024, ministrat e mbrojtjes të Turqisë dhe Kosovës, Yaşar Güler dhe Ejup Maqedonci, nënshkruan në Ankara një marrëveshje kornizë për bashkëpunim ushtarak, që përfshin shitje armatimi, stërvitje të përbashkëta dhe programe trajnimi.
Komentet e Vuçiçit pasojnë gjithashtu akuzat e mëhershme ndaj Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat ai i ka kritikuar për “nxitje të garës së armatimit” në rajon pas nënshkrimit të një deklarate të përbashkët për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën në mars.
Ankaraja ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Vuçiçit, por zyrtarët turq kanë theksuar më herët se bashkëpunimi ushtarak me Kosovën është pjesë e përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes në rajon dhe ruajtjen e paqes.