Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Kërkesa është konfirmuar edhe nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila bëri të ditur se për këtë hap është njoftuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Sipas saj, përveç vlerësimit të procedurës kushtetuese, në kërkesë është kërkuar edhe vendosja e një mase të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu kemi kërkuar që Gjykata të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, ka shkruar Haxhiu.
Në dokumentin e dorëzuar në Kushtetuese thuhet se ekziston rreziku që, për shkak të mosarritjes së kuorumit në Kuvend, vendi të përballet me pasoja institucionale, përfshirë edhe shpërndarjen e Kuvendit.
Në kërkesë theksohet se mungesa e deputetëve në seancë mund të pengojë arritjen e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, gjë që mund të çojë në krizë institucionale dhe destabilitet politik.
VV kërkon nga Gjykata Kushtetuese që:
-
të shpallë kërkesën të pranueshme,
-
të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit deri në publikimin e aktgjykimit,
-
të konstatojë nëse mosprania e deputetëve në seancë përbën shkelje të detyrimeve kushtetuese,
-
dhe të sqarojë obligimin e deputetëve për të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.
Gjithashtu kërkohet që Gjykata të përcaktojë mënyrën e rifillimit të procedurës për zgjedhjen e presidentit pas marrjes së vendimit dhe që aktgjykimi të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit është shoqëruar me përplasje politike dhe rrezik për mungesë të kuorumit në Kuvendin e Kosovës.

