Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kërkesa për votim të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës. Këtë e konfirmoi sot deputeti Faton Peci para gazetarëve, duke thënë se kjo mënyrë votimi siguron “realizimin e vullnetit të plotë” të deputetëve.
“Është e rëndësishme të respektohet vullneti i secilit, dhe këtë e garanton vetëm votimi i fshehtë,” deklaroi Peci, duke shtuar se posti i kryeparlamentarit i takon Vetëvendosjes sipas Kushtetutës, siç e ka theksuar më herët edhe kryeministri Kurti.
Peci theksoi gjithashtu se për Vetëvendosjen nuk është problem emri i kandidatit, por mungesa e vullnetit politik nga partitë tjera. “Edhe deputetë si Hykmete Bajrami e kanë thënë se nuk do ta votojnë askënd nga VV,” tha ai.
Ngërçi për konstituimin e Kuvendit vazhdon, ndërsa partitë mbeten të ndara për mënyrën e votimit dhe kandidaturën për kryetar.