Lëvizja Vetëvendosje ka miratuar unanimisht kandidaturën e Albin Kurtit për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, duke rikandiduar kreun e saj për mandatin e radhës pas dështimit të formimit të Qeverisë Kurti 3. Sipas VV-së, përgjegjës për ngërçin e gjashtëmuajve të fundit janë partitë e tjera parlamentare.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, nënkryetari Glauk Konjufca tha se Kurti është kandidati më i merituar i partisë, ndërsa akuzoi opozitën për, siç e quajti ai, “bllokadë të organizuar politike”.
Konjufca: Nuk na lanë të formojmë qeveri, vetë nuk deshën ta bëjnë
“Qëllimi ynë s’ka qenë kurrë të ecim vetëm. Populli në zgjedhjet e shkurtit nuk na dha mandat për të mbetur të izoluar, por për të bashkëpunuar me partnerin tonë në koalicionin demokratik”, tha Konjufca, duke theksuar se VV u refuzua nga partnerët potencialë dhe se opozita më pas refuzoi edhe mandatin për të formuar qeveri.
“Ata duan të bllokojnë gjithçka, me synimin që dobësimi i shtetit të duket si dështim i Vetëvendosjes. Është qëndrim i dëmshëm, antishtetëror. Edhe nëse nuk ka buxhet, as paga për punëtorët – për ta nuk ka rëndësi, mjafton që Albin Kurti të dështojë”, tha ai.
Ai shtoi se askush tjetër brenda VV-së “nuk e meriton më shumë” kandidaturën për kryeministër sesa Kurti.
Kurti: Opozita po përpiqet ta kthejë krizën politike në krizë sociale
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, falënderoi delegatët për besimin, duke theksuar se kriza aktuale nuk është financiare, por politike — e shkaktuar, sipas tij, nga partitë e tjera.
“Krizën legale po tentojnë ta shndërrojnë në krizë sociale, duke lënë njerëzit pa paguar, duke shkaktuar deficite dhe vonesa për operatorët ekonomikë. Por krizë financiare s’ka”, tha Kurti.
Ai u shpreh i prerë se nuk do të pranonte pazare politike:
“Ne refuzojmë qeveri të ndara në terminale e ambasadorë. Me mua mund të bashkëpunojnë vetëm për t’i adresuar hallet e qytetarëve.”
Kurti paralajmëroi se VV synon fitore të re në zgjedhjet e 28 dhjetorit:
“We i kemi fituar zgjedhjet rregullisht dhe do t’i fitojmë përsëri.”
Zgjedhjet e 28 dhjetorit
Zgjedhjet e jashtëzakonshme u thirrën pasi asnjë parti nuk arriti të formojë qeverinë pas konstituimit të Kuvendit. Për momentin, Vetëvendosja është e vetmja parti që ka zyrtarizuar kandidatin për kryeministër.

