Gjenerali i pensionuar amerikan dhe ish-komandanti i forcave të NATO-s, Wesley Clark, ka hedhur poshtë si të pakuptimta dhe të pabazuara akuzat ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.
Clark tha se për këto pretendime kishte dëgjuar qysh në vitet 2007–2008, por që në atë kohë i kishte identifikuar si fushatë dezinformuese.
“Në vitin 2007 ose 2008 kishte akuza ndaj UÇK-së për shitje organesh, por unë thjesht e kuptoja si dezinformim,” deklaroi ai.
Ai shtoi se deri së voni nuk kishte qenë i informuar për aktakuzat e ngritura në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“Nuk më kujtohet që i kam lexuar akuzat deri dje, nuk kam marrë asnjë informacion,” tha Clark, pasi dëgjoi një deklaratë të tij të vitit 2020, kur po ngrihej aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Sipas tij, pretendimi se organet e njerëzve mund të hiqeshin dhe shiteshin gjatë një fushate ajrore të NATO-s ishte “propozim qesharak” dhe krejtësisht i pabazë.
“Mendoj se ishte fushatë dezinformimi. Nuk ka kuptim kjo. Të njëjtët persona që më dhanë librin në vjeshtën e vitit 1998… ishin rusët,” theksoi Clark.

