I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ka mbërritur sot në Moskë për një takim direkt me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekjen më të fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Udhëtimi vjen në një moment tensioni diplomatik dhe dyshimesh të thelluara mbi seriozitetin e palës ruse.
Witkoff është vendosur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare që nga publikimi nga Bloomberg i një transkripti ku ai dyshohet se kishte këshilluar një zyrtar të lartë të Kremlinit për mënyrën e qasjes ndaj Presidentit amerikan Donald Trump në bisedime.
Takimi i sotëm zhvillohet pak ditë pasi administrata Trump prezantoi një plan paqeje 28-pikësh, i hartuar sipas raportimeve nga Kirill Dmitriev, Jared Kushner dhe vetë Witkoff. Plani u kritikua ashpër nga Ukraina dhe vendet evropiane për shkak se shihej si tejet i favorshëm për interesat ruse. Pas reagimeve, negociatorët amerikanë, ukrainas dhe evropianë përgatitën një version të azhurnuar prej 19 pikësh.
Kirill Dmitriev e quajti ditën e sotme “të rëndësishme për paqen”, ndërsa Witkoff udhëtoi drejt Moskës menjëherë pas raundit të bisedimeve SHBA–Ukrainë të zhvilluara në Florida.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se në takimin me Putinin do të marrë pjesë edhe Jared Kushner, duke shtuar se bisedimet do të zgjasin “aq sa të jetë e nevojshme”.
Pavarësisht kësaj, Putin nuk jep asnjë sinjal lëshimi. Nga Bishkeku javën e kaluar, ai tha se lufta mund të mbyllet vetëm kur “forcat ukrainase të largohen nga territoret e pushtuara nga Rusia”. Para takimit me Witkoff, Putin vizitoi edhe Shtabin e Përgjithshëm rus, ku gjeneralët raportuan se Rusia kishte marrë kontrollin e Pokrovskut dhe po avancon në disa drejtime të frontit.

