Presidenti kinez Xi Jinping u ka kërkuar udhëheqësve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) të refuzojnë “mentalitetin e Luftës së Ftohtë” dhe të përqafojnë një rend të ri botëror të bazuar në multipolarizëm e barazi.
Në fjalimin e tij në samitin dy-ditor në Tianjin, Xi paralajmëroi për sfida gjithnjë e më komplekse të sigurisë dhe zhvillimit, duke e cilësuar botën si “kaotike dhe të ndërthurur”. Ai theksoi se shtetet anëtare duhet të qëndrojnë të bashkuara dhe të vazhdojnë frymën e Shangait.
Pekini premtoi 280 milionë dollarë ndihmë dhe 1.4 miliardë dollarë kredi për vendet e SCO-së, duke u zotuar për lehtësim tregtar e investimesh.
Samiti po mbahet me pjesëmarrjen e liderëve kryesorë, përfshirë Vladimir Putinin, Narendra Modin, Masoud Pezeshkianin dhe Alexander Lukashenkon.
Themeluar më 2001, SCO tani përfshin 10 anëtarë të përhershëm dhe 16 vende partnere e vëzhguese, duke u shndërruar në një bllok të rëndësishëm euroaziatik.