Një operacion policor i koduar “The Van” ka çuar në zbulimin e një arsenali armësh në kryeqytet dhe në arrestimin e 34-vjeçarit Eugert Sino, i cili dyshohet si posedues i armëve dhe pajisjeve të rënda ushtarake.
Operacioni u zhvillua nga Sektori i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2, nën drejtimin e Prokurorisë. Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, kontrollet janë kryer në rrugën “Myslym Shyri”, ku në furgonin e 34-vjeçarit u gjet një sasi e madhe armatimi dhe pajisjesh të ndaluara.
Çfarë u gjet në furgonin e Eugert Sinos:
-
12 pistoleta të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”
-
6 armë automatike
-
5 armë zjarri me tytë të gjatë, të ngjashme me snajperë
-
1 silenciator
-
17 krehra municioni
-
15 000 fishekë
-
17 kuti me pranga të ngjashme me ato të Policisë
-
12 celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë
-
Pajisje gjurmuese GPS, bllokues valësh, numërues kartëmonedhash
-
3 komplete uniformash policie false
Të gjitha sendet e sekuestruara janë dërguar për ekzaminim, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se arsenali mund të ketë qenë pjesë e një rrjeti trafiku armësh.
Policia ka konfirmuar se, përveç arrestimit të Sinos, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona të tjerë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar rrjetin e plotë dhe qëllimin e mbajtjes së arsenalit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale:
-
“Trafikimi i armëve dhe i municionit”
-
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia ka paralajmëruar se do të vijojë aksionet kundër grupeve të përfshira në trafikim armësh dhe aktivitete kriminale në territorin e Tiranës dhe më gjerë.

