Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, i bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të shmangin përshkallëzimin e luftës dhe të përqendrohen në përpjekjet diplomatike për paqe.
“Jam realist. Rusia ka frikë nga Tomahawk-ët, por Trump ka të drejtë: duhet të ndalemi dhe të flasim. Të ndalojmë luftën në vijën e frontit, pastaj të diskutojmë për gjithçka tjetër”, deklaroi Zelensky.
Ai theksoi se Ukraina është e gatshme për negociata, por vetëm nëse sigurohen garanci të forta ndërkombëtare. “Ne duam paqe, por Putini jo. Garancitë dypalëshe nga Shtetet e Bashkuara janë thelbësore — Trump ka mundësinë ta përfundojë luftën”, tha presidenti ukrainas.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë
Takimi Zelensky–Trump u zhvillua në një atmosferë të ndjeshme politike, ku çështja e raketave Tomahawk dhe ndihmës ushtarake mbetet temë kyçe. Trump ka refuzuar dërgimin e raketave me rreze të gjatë, duke thënë se “askush nuk dëshiron përshkallëzim”.
Megjithatë, Zelensky sugjeroi mundësinë e një bashkëpunimi ushtarako-industrial midis dy vendeve, përfshirë shkëmbimin e teknologjive mes dronëve ukrainas dhe raketave amerikane.
Objektivi: Pëfundimi i luftës përmes diplomacisë
Sipas analistëve, qëllimi i udhëtimit të Zelenskyt në SHBA ishte forcimi i mbështetjes amerikane dhe përfshirja e Trumpit si aleat strategjik në procesin e paqes. Por Trump po e pozicionon veten si “lider ndërmjetës” mes Kievit dhe Moskës.
Zelensky kërkoi që në çdo marrëveshje të ardhshme të përfshihen garanci të forta sigurie për Ukrainën, në mënyrë që vendi të mos mbetet i pambrojtur pas ndalimit të luftimeve.
“Trump mund të bëjë për Ukrainën atë që bëri me armëpushimin në Lindjen e Mesme”, shtoi Zelensky, duke theksuar se kjo është “një mundësi e madhe për paqen”.
Sfondi politik
Kjo ishte takimi i pestë mes dy liderëve që prej fillimit të luftës, ndërsa Putini ka tentuar të ndikojë në axhendën diplomatike duke kontaktuar Shtëpinë e Bardhë përpara mbërritjes së Zelenskyt.
Edhe pse Ukraina nuk arriti të sigurojë raketa Tomahawk, bisedimet u vlerësuan si hap pozitiv drejt një procesi të ri negociatash nën ndërmjetësimin amerikan.
Burimi: La Repubblica