Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të takohet të hënën në Uashington DC me liderin amerikan Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për çështjen e luftës në Ukrainë.
Në një postim në Telegram, Zelensky u shpreh se është “mirënjohës për ftesën” e Trump. Ky takim pason Samitin e zhvilluar mes Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili nuk solli një marrëveshje konkrete për paqen.
Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Zelensky gjatë fluturimit nga Alaska drejt Uashingtonit. Në këtë bisedë u përfshinë më pas edhe disa udhëheqës të NATO-s.
Zyra presidenciale e Ukrainës konfirmoi gjithashtu komunikimin, duke theksuar se: “Ishte një telefonatë e gjatë — fillimisht midis presidentëve Zelensky dhe Trump, pas së cilës iu bashkuan edhe udhëheqësit evropianë.”
Takimi i ardhshëm në Uashington shihet si një moment kyç në përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë.