Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, pritet të zbarkojë sot në Bruksel, ku në orët e mbrëmjes do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian António Costa. Takimi do të zhvillohet rreth orës 20:00 në rezidencën zyrtare të Rutte.
Komisioni Evropian paralajmëroi se bisedimet zhvillohen në sfondin e negociatave të vazhdueshme për paqen në Ukrainë. Zëdhënësja Paula Pinho tha se detajet e diskutimeve nuk do të bëhen publike, por theksoi se temat kryesore lidhen me mbështetjen financiare dhe garancitë afatgjata për Kievin.
Një nga çështjet që pritet të hapet është ajo e kredive të dëmshpërblimeve, një instrument që BE po negocion për të financuar nevojat e Ukrainës në vitet 2026–2027. Pinho kujtoi takimin e fundit të von der Leyen me kryeministrin belg Bart De Wever dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, të cilin e përshkroi si “pozitiv” dhe “me shkëmbim të mirë pikëpamjesh”.
Diskutimet pritet të kulmojnë javën e ardhshme në Këshillin Evropian, ku synohet një vendim i qartë për mekanizmin e financimit të Ukrainës.
Samiti i radhës, që nis të enjten e ardhshme, konsiderohet me rrezik të lartë, pasi BE po përpiqet të bindë Belgjikën të pranojë përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të mbuluar ndihmën për Ukrainën – një çështje që ka ndarë kryeqytetet evropiane prej muajsh.

