Sot në Kosovë pritet mot përvëlues, me temperatura që arrijnë deri në 33-34°C dhe ndjesi të lartë zagushie. Pas mesditës priten zhvillime të fuqishme të vranësirave, veçanërisht në zonat kodrinore të jugut, lindjes dhe verilindjes, me rrebeshe shiu, vetëtima, bubullimë dhe rrezik për breshër. Lokalisht, mund të ndodhë edhe ndonjë stuhi e fuqishme. Rrebeshet do të sjellin freskim të përkohshëm.
🌦️ Rajoni nën ndikimin e rrebesheve të pasdites
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi parashikohet mot me diell paradite, por me zhvillime pasdite që sjellin rrebeshe lokale. Maqedonia e Veriut dhe juglindja e Shqipërisë mund të përjetojnë reshje intensive me breshër, ndërsa pjesa tjetër e rajonit do të mbetet kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë.