Vetëm 13 të burgosur shqiptarë janë transferuar deri tani në Shqipëri, në kuadër të një skeme britanike prej 8 milionë paundësh që synon transferimin e rreth 200 të dënuarve për vepra të rënda penale.
Vetëm 13 të burgosur shqiptarë janë riatdhesuar deri tani në kuadër të një skeme prej 8 milionë paundësh, e cila synon transferimin në Shqipëri të rreth 200 shtetasve shqiptarë të dënuar në Britaninë e Madhe për krime të rënda.
Sipas të dhënave të publikuara nga gazeta britanike “The Sun”, shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të shtetasve të huaj në burgjet britanike. Sipas raportimit, rreth 940 shqiptarë kanë qenë të burgosur në Britaninë e Madhe gjatë shtatë viteve të fundit, duke përbërë rreth 9–12 për qind të të burgosurve të huaj.
Rreth 200 të dënuar pritet të transferohen
Skema britanike parashikon transferimin në Shqipëri të rreth 200 të dënuarve shqiptarë, në mënyrë që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajnë në vendin e tyre.
Megjithatë, procesi është duke u zhvilluar me ritme të ngadalta. Sipas “The Sun”, mes të burgosurve që ende presin transferimin janë edhe 15 persona të dënuar për vrasje dhe me burgim të përjetshëm.
Në mesin e tyre është edhe Koci Selamaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e mësueses 28-vjeçare Sabina Nessa, e cila u vra në një park në juglindje të Londrës në vitin 2021.
Në maj të vitit 2023, Selamaj sulmoi gjithashtu dy oficerë burgu.
Mbajtja e një të burgosuri kushton 56 mijë paund në vit
Sipas të dhënave të cituara nga tabloidi britanik, mbajtja e një të burgosuri në sistemin penitenciar të Britanisë së Madhe kushton mesatarisht rreth 56 mijë paund në vit.
Vonesat në transferimin e të dënuarve shqiptarë, sipas “The Sun”, lidhen pjesërisht me procedurat ligjore dhe ngarkesën e gjykatave shqiptare, të cilat duhet të njohin dhe të ekzekutojnë dënimet e dhëna nga gjykatat britanike.
Në total, rreth 11.700 të burgosur të huaj janë larguar nga burgjet britanike në kuadër të procedurave të riatdhesimit dhe transferimit.
Ndërkohë, raportimi ngre pikëpyetje mbi ritmin e zbatimit të marrëveshjeve mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, duke pasur parasysh diferencën e madhe mes numrit të të dënuarve që synohet të transferohen dhe atyre që janë riatdhesuar deri tani.

