Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, me sulme intensive që janë zhvilluar gjatë natës së fundit. Sipas raportimeve, Tel Avivi dhe zona qendrore e Izraelit janë goditur nga raketa, ndërsa përgjigjja izraelite ka përfshirë sulme edhe ndaj Teheranit.
Të paktën 16 persona janë raportuar të vrarë dhe mbi 300 të tjerë të plagosur në Izrael, ndërsa bilanci në Iran është edhe më i rëndë, me 224 viktima të regjistruara që nga e premtja, sipas burimeve të A2 CNN.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka konfirmuar se në mesin e viktimave në Teheran janë edhe figura të larta ushtarake – përfshirë kreun e departamentit të inteligjencës së Gardës Revolucionare, Mohammad Kazemi, si dhe dy oficerë të tjerë.
Mediat ndërkombëtare, përfshirë Iran International, raportojnë se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është evakuuar në një bunker nëntokësor në verilindje të Teheranit, vetëm disa orë pas sulmeve të para izraelite të premten.
Në zhvillimet ndërkombëtare, ish-presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Izraelin në mbrojtjen e vetes”, duke shtuar se “ka shanse të mira për një marrëveshje mes Izraelit dhe Iranit”.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi raportimet se presidenti amerikan ka vendosur veto ndaj një plani të Tel Avivit për eliminimin e Ajatollah Ali Khameneit – një pretendim i bërë publik nga dy zyrtarë amerikanë për agjencinë Reuters.
Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i frikësohet një përhapjeje më të gjerë të konfliktit në Lindjen e Mesme.