Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Lugu”, ku janë arrestuar gjashtë persona dhe është sekuestruar sasi e konsiderueshme droge.
Operacioni u zhvillua pas hetimeve intensive ndaj gjashtë të dyshuarve meshkuj kosovarë, të cilët dyshohen për shit-blerje të substancave narkotike në rajonin e Prishtinës. Me datën 6 gusht 2025, rreth orës 12:00, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore dhe me urdhër të Gjykatës, policia zhvilloi kontrolle në tetë lokacione, duke përfshirë shtëpi, banesa, objekte përcjellëse dhe një lokal (free shop).
Operacioni u mbështet nga Njësia Speciale Operative, Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, njësia K9 dhe njësitë patrulluese të rajonit të Prishtinës.
Provat e sekuestruara
Si rezultat i operacionit, Policia gjeti dhe sekuestruar:
-
300 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë (vlerë e përafërt 18,000 euro),
-
13,294 euro,
-
2 DVR,
-
5 vetura me targa vendore, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me rastin.
Gjatë kontrolleve në pesë automjete të sekuestruara, në një prej tyre në pronësi të një të dyshuari mashkull kosovar u gjetën dy qese me kokainë me peshë rreth 35 gram. Të gjithë të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës njofton se do të vazhdojë përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e shpërndarjes së narkotikëve në vend.