Një hulumtim i brendshëm i kompanisë Meta, zbuluar nga agjencia Reuters, ka ngritur shqetësime serioze për ndikimin e Instagram-it tek adoleshentët e ndjeshëm ndaj imazhit trupor. Studimi tregon se adoleshentët që raportojnë ndjenja negative për trupin e tyre pas përdorimit të platformës, shohin më shumë përmbajtje të lidhur me çrregullimet e të ngrënit krahasuar me përdoruesit e tjerë.
Sipas dokumentit të brendshëm të Meta-s, postimet e shfaqura këtyre përdoruesve përfshinin “shfaqje të spikatura të gjoksit, vitheve dhe kofshëve”, si dhe gjykime të hapura për lloje trupash, apo përmbajtje që lidhen me pamje negative për trupin. Edhe pse një përmbajtje e tillë nuk ndalohet në Instagram, ekspertët paralajmërojnë se ajo mund të jetë potencialisht e dëmshme për përdoruesit e rinj.
Në këtë studim, Meta anketoi 1,149 adoleshentë gjatë vitit akademik 2023–2024 për të vlerësuar ndikimin e platformës në perceptimin e trupit të tyre. Rezultatet treguan se adoleshentët që shpesh ndiheshin keq për trupin e tyre panë 10.5% përmbajtje të lidhur me çrregullimet e të ngrënit, ndërsa për të tjerët kjo shifër ishte vetëm 3.3%.
“Adoleshentët që raportuan pakënaqësi të shpeshta me trupin pas shikimit të postimeve në Instagram panë rreth tre herë më shumë përmbajtje të fokusuar në trup sesa bashkëmoshatarët e tyre”, thuhet në raportin e studimit të shqyrtuar nga Reuters.
Përveç përmbajtjes që lidhet me çrregullimet e të ngrënit, studiuesit zbuluan se përdoruesit me ndjenja më negative për veten ekspozohen më shpesh ndaj përmbajtjes provokuese, përfshirë tema si “sjellje të rrezikshme”, “mizori” dhe “vuajtje”. Kjo përbënte 27% të materialeve të shfaqura në profilin e tyre, kundrejt 13.6% për adoleshentët e tjerë.
Meta pranon gjetjet, por mohon ndikimin e drejtpërdrejtë
Studiuesit theksuan se nuk mund të përcaktohet shkaku i drejtpërdrejtë i këtyre efekteve, duke sugjeruar se disa adoleshentë mund të kërkojnë vetë një përmbajtje të tillë. Megjithatë, raporti pranon se mjetet e brendshme të monitorimit të Meta-s nuk kanë arritur të identifikojnë 98.5% të përmbajtjes potencialisht të dëmshme për të miturit.
Në një deklaratë për Reuters, zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, tha se kompania po punon për të kuptuar më mirë përvojat e të rinjve dhe për të ndërtuar platforma më të sigurta.
“Ky hulumtim tregon përkushtimin tonë për të kuptuar ndikimin e produkteve tona te të rinjtë dhe për të ndërtuar një mjedis më të shëndetshëm për ta,” – deklaroi Stone, duke theksuar se Meta po përpiqet të kufizojë përmbajtjet joadekuate për moshat nën 18 vjeç, në përputhje me standardet e filmave PG-13.
Ekspertët: “Gjetjet janë alarmuese”
Jenny Radesky, profesoreshë e asociuar e pediatrisë në Universitetin e Miçiganit, e cila shqyrtoi studimin me kërkesë të Reuters, e cilësoi metodologjinë e hulumtimit si të fuqishme, ndërsa gjetjet si shqetësuese.
Në SHBA, Meta tashmë përballet me hetime shtetërore dhe federale për efektet e Instagram-it te fëmijët dhe adoleshentët, si dhe me padi nga distriktet shkollore që akuzojnë kompaninë për marketing mashtrues dhe dizajn të dëmshëm të platformës.
Ndërkohë, kompania ka njoftuar se ka përgjysmuar sasinë e përmbajtjeve të kufizuara sipas moshës që u shfaqen adoleshentëve në Instagram që nga korriku 2025.
Studimi i brendshëm i Meta-s e vendos sërish në qendër të vëmendjes debatin për rolet e algoritmeve në shëndetin mendor të të rinjve, duke ngritur pyetje mbi përgjegjësinë e platformave sociale në mbrojtjen e përdoruesve të mitur.

