Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian nuk do të vendosin ende masa ndëshkuese, por kërcënimi për sanksione mbetet në tryezë.
Bashkimi Evropian nuk do të ndërmarrë për momentin sanksione ndaj Izraelit për shkak të luftës në Gaza, por as nuk i ka hequr ato nga tavolina. Kështu deklaroi të hënën shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pas takimit të 27 ministrave të jashtëm evropianë në Luksemburg.
Pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të që hyri në fuqi dhjetë ditë më parë, ministrat evropianë e vlerësuan situatën në Gaza si “shumë të brishtë” për të tërhequr plotësisht presionin diplomatik ndaj autoriteteve izraelite.
“Armëpushimi ka ndryshuar kontekstin, kjo është e qartë për të gjithë. Megjithatë, nëse nuk shohim ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme në terren – përfshirë rritjen e ndihmave që arrijnë në Gaza – kërcënimi i sanksioneve mbetet në tryezë,” tha Kallas në një konferencë për media.
Parakushtet e BE-së: ndihma humanitare, qasje për gazetarët dhe OJQ-të
Kallas theksoi se përveç ndihmës humanitare, duhet të sigurohet akses i lirë në Rripin e Gazës për gazetarët dhe punonjësit humanitarë, si dhe regjistrim i pakufizuar i organizatave joqeveritare ndërkombëtare.
“Duhet të shohim përmirësim të ndihmës humanitare që arrin në Gaza. Po ashtu, të ardhurat tatimore palestineze duhet t’i dorëzohen Palestinës ose të lirohen nga autoritetet izraelite. Gazetarët dhe punonjësit e ndihmës duhet të kenë hyrje të lirë, dhe regjistrimi i OJQ-ve ndërkombëtare duhet të jetë i pakufizuar,” shtoi ajo.
Propozimet e von der Leyen mbeten pezull
Në përballje me përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe bllokadën izraelite të ndihmës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, muajin e kaluar kishte propozuar tre masa kryesore:
-
Pezullimin e pjesshëm të Marrëveshjes së Asociimit mes BE-së dhe Izraelit;
-
Ngrirjen e ndihmës dypalëshe, me përjashtim të mbështetjes për shoqërinë civile dhe qendrën përkujtimore të Holokaustit Yad Vashem;
-
Sanksione individuale ndaj dy ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë dhe disa kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor.
Megjithatë, këto propozime nuk janë miratuar, pasi shtetet anëtare të BE-së kanë qëndrime të ndryshme për qasjen ndaj Izraelit dhe zhvillimeve në Gaza.

