Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë kritike ndaj Serbisë, duke nxjerrë në pah rritjen e polarizimit dhe represionit në vend, një vit pas shembjes tragjike të strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Në votim morën pjesë 457 eurodeputetë pro dhe 103 kundër.
Në rezolutë kërkohet që hetimet për tragjedinë e Novi Sadit të përfundojnë në mënyrë të plotë dhe transparente, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, sipas standardeve të sundimit të ligjit. Dokumenti kujton se shembja e strehës nxiti protesta të paprecedenta në mbarë vendin, të udhëhequra nga studentët, të cilët kërkonin drejtësi, transparencë, zgjedhje të ndershme dhe fund të korrupsionit sistematik.
Rezoluta denoncon gjithashtu përdorimin e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë dhe protestuesve, përfshirë armë akustike dhe ndërhyrje të njësive elitare ushtarake si “Kobre”. Autoritetet akuzohen për regjistrime të paligjshme të bisedave private dhe përdorimin e tyre kundër studentëve dhe aktivistëve.
Dokumenti gjithashtu shpreh shqetësim për rritjen e ndikimit të Kinës në Serbi përmes investimeve infrastrukturore, duke vënë në dyshim transparencën, respektimin e rregullave mjedisore dhe përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian.
Parlamenti Evropian fton Serbinë të harmonizohet me politikat e BE-së për të luftuar ndërhyrjet e huaja dhe fushatat e dezinformimit, duke kërkuar reforma që sigurojnë respektimin e ligjit, ndarjen e pushteteve, liri mediatike dhe të drejta qytetare./Qendra.INFO

