Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se ka besim të plotë tek presidenti amerikan Donald Trump për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.
“Ai është i vetmi që mund ta bëjë këtë,” tha Rutte për gazetarët, duke iu referuar presidentit të SHBA-së pas një takimi me një grup senatorësh dypartiakë në Capitol Hill.
Rutte theksoi se qëllimi i vizitës së tij në Uashington ishte të ofronte mbështetjen e plotë të NATO-s për vizionin e Trump mbi një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit ruso-ukrainas.
“Vizita ime ka për qëllim të ofroj çdo mbështetje që Aleanca mund të japë për të ndihmuar në përfundimin e kësaj lufte në mënyrë të qëndrueshme,” tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm mohoi gjithashtu se udhëtimi i tij ishte i lidhur me anulimin e një takimi të planifikuar mes Trump dhe Vladimir Putin në Hungari.
“Pas suksesit të madh të presidentit në Gaza, i dërgova një mesazh dhe i thashë: ‘Hej, le të takohemi në Uashington për të diskutuar se si mund ta realizojmë vizionin tënd për paqen në Ukrainë’,” shtoi Rutte.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur tensionet në frontin lindor të Evropës mbeten të larta, ndërsa Uashingtoni dhe NATO po kërkojnë rrugë të reja për t’i dhënë fund konfliktit që ka tronditur kontinentin për më shumë se dy vjet.

