Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar sot në rrjetin social Facebook, lidhur me seancën vendimtare për formimin e Qeverisë së re. Ai thekson se vendi ndodhet përballë dy mundësive: ose do të formohet Qeveria Kurti 3, ose Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje, duke rrezikuar, sipas tij, procese të rëndësishme shtetërore.
“Në seancën e sotme janë dy mundësi, ose do të kemi Qeveri Kurti 3 ose vendi do të shkojë edhe njëherë në zgjedhje duke rrezikuar shumë procese si Buxheti, Plani i Rritjes i BE-së, funksionimi i institucioneve të pavarura etj.” – ka shkruar Murati.
Ai shton se opsioni i dëshiruar për Vetëvendosjen është formimi i qeverisë së re, por nënvizon se tani topi është te opozita.
“Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojnë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrueshmërinë e shtetit vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin?”
Në fund, Murati apelon për reflektim dhe përgjegjësi:
“Uroj që sot të triumfojë arsyeja dhe vullneti politik tek secili deputet për të zgjedhur interesin shtetëror para së gjithash.”

