Djali i futbollistit të njohur portugez Cristiano Ronaldo, vetëm 15 vjeç, ka blerë makinën e tij të parë. Bëhet fjalë për një Lamborghini Urus S të bardhë, një model luksoz që kushton rreth 265 mijë euro.
Makina është një nga SUV-të më të fuqishme të prodhuesit italian, e pajisur me motor V8 me turbo, që prodhon 650 kuaj fuqi. Ajo arrin nga 0 në 100 km/orë për vetëm 3.5 sekonda dhe mund të kapë shpejtësinë maksimale prej 305 km/orë.
Edhe pse e ka blerë makinën, Ronaldo Jr. nuk mund ta ngasë ende, pasi mosha minimale për drejtim automjeti në Arabinë Saudite është 18 vjeç. Megjithatë, ai mund të marrë një leje provizore në moshën 17-vjeçare, por vetëm nën mbikëqyrjen e një të rrituri.
Ronaldo i ri duket se po ndjek hapat e babait të tij, i cili është i njohur për pasionin e madh ndaj makinave luksoze. Koleksioni i Cristiano Ronaldos përfshin modele të rralla si Bugatti Chiron, Ferrari F12, Rolls-Royce Cullinan dhe McLaren Senna.

