Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, i cili i dorëzoi Raportin për Kosovën 2025 të Komisionit Evropian.
Gjatë takimit, u diskutua mbi gjetjet kryesore të raportit, i cili vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha kyçe të reformave, por njëkohësisht thekson sfidat që mbeten për t’u adresuar në procesin e integrimit evropian.
Presidentja Osmani tha se raporti përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm për institucionet e Kosovës dhe nënvizoi domosdoshmërinë e trajtimit me prioritet të rekomandimeve të tij.
“Kosova duhet të vazhdojë me hapa të vendosur në rrugën e reformave që e afrojnë me Bashkimin Evropian,”
u shpreh presidentja Osmani.
Ajo falënderoi ambasadorin Orav për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndaj Kosovës dhe theksoi përkushtimin e palëkundur të qytetarëve të vendit për integrim në familjen evropiane.
“Ky proces nuk është vetëm politik apo institucional, por një rrugëtim që garanton zhvillim të qëndrueshëm, stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon dhe më gjerë,”
shtoi Osmani.
Raporti për Kosovën 2025 vlerësohet si një nga dokumentet më të rëndësishme të Komisionit Evropian që përcakton ritmin e reformave demokratike, ekonomike dhe sundimit të ligjit për vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE.

