Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas propozimit të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e qeverisë së re, duke e cilësuar këtë vendim si të ngjashëm me trashëgiminë monarkike e jo me proces demokratik.
Sipas tij, dorëzimi i mandatit nga Albin Kurti te Glauk Konjufca nuk është rezultat i vullnetit qytetar, por një veprim i brendshëm partiak pa legjitimitet elektoral.
“Ajo çfarë sot na propozohet më shumë se demokracisë i ngjan monarkisë. Nga babai te i biri, nga Albini te Glauku. Në monarki mandati trashëgohet, në demokraci arrihet me votat e qytetarëve”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se ky veprim është vetëm një lëvizje politike për të zvarritur proceset institucionale dhe për të shtuar tensionet në vend, në vend se të kërkohet stabilitet dhe zgjidhje e krizës politike.
“Kjo është lojë politike. Ka për synim vonesën dhe thellimin e krizave shtetërore, si dhe nisjen e fushatës së papërgjegjshme të akuzave ndaj të tjerëve. Nuk fitohen më betejat me politika primitive, popullizmit duhet t’i dilet ballë”, ka shtuar ai.
Abdixhiku theksoi se në këtë fazë vendimtare, rëndësi ka vendimi i Kuvendit të Kosovës, dhe jo zhvillimet e brendshme të një partie politike./Qendra.INFO

