Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Fakultetin Filologjik të kryeqytetit, në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Pas votimit, Çeku u shpreh optimist për një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare.
“Pas një procesi të gjatë, sot po e përmbyllim edhe këtë cikël të zgjedhjeve lokale me votë – që është detyrim dhe angazhim për qytetin tonë. Uroj që kjo ditë të jetë e mbarë për demokracinë dhe për vendin tonë,” deklaroi Çeku.
Ai shtoi se shpreson që katër vitet e ardhshme të jenë të suksesshme për Prishtinën, duke ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votim:
“I ftoj të gjithë që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë, për demokraci dhe për qeverisje të mirë,” tha kandidati i LVV-së.
Procesi i votimit në Prishtinë po zhvillohet në atmosferë të qetë, me një pjesëmarrje të vazhdueshme të qytetarëve në qendrat e votimit.

