Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Ambasada e Kosovës në Slloveni ka pranuar disa thirrje urgjente nga shtetas kosovarë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Slloveni–Kosovë, të zhvilluar në Ljubljana.
Sipas njoftimit zyrtar, qytetarë nga Kosova kanë raportuar mungesën e targave në veturat e tyre, duke ngritur dyshime se ato janë hequr pas ndeshjes.
“Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Ambasada ka konfirmuar se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet sllovene për të hetuar rastet dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve kosovarë.
“Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri,” thekson më tej njoftimi.
Kujtojmë se ndeshja Slloveni–Kosovë u zhvillua mbrëmë në Stadionin Stožice dhe përfundoi me fitoren e Kosovës 2–0. Pas ndeshjes, në rrjetet sociale janë shpërndarë reagime për disa incidente të vogla jashtë stadiumit.

