Shërbimi britanik i inteligjencës MI5 ka lëshuar një paralajmërim urgjent: agjentë të shtetit kinez po përdorin LinkedIn për të identifikuar, kontaktuar dhe rekrutuar deputetë dhe persona me qasje në informacion të ndjeshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Kryetarja e Dhomës së Komunave, Lindsay Hoyle, ka shpërndarë alarmin tek ligjvënësit, ku përmenden dy “gjuetarë rekrutimi” që përdorin profile të rreme dhe kompani mbuluese për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata me objektivët e tyre.
Sipas MI5, qëllimi është i qartë: mbledhja sistematike e informacionit dhe krijimi i rrjeteve të ndikimit brenda politikës britanike.
Ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, tha se Kina po përpiqet të rekrutojë individë me qasje në të dhëna të ndjeshme, shpesh përmes kompanive fiktive dhe rekrutuesve të jashtëm që veprojnë si mbulesë.
Ai paralajmëroi se Kina ka “prag të ulët” mbi atë çfarë konsideron informacion të vlefshëm dhe se mbledhja masive e të dhënave personale përdoret për të krijuar një tablo të gjerë të marrëdhënieve politike britanike.
Për t’i vënë fre situatës, qeveria britanike prezantoi një “plan veprimi kundër ndërhyrjes politike dhe spiunazhit”, që parashikon rregulla më të forta për donacionet politike, fuqi shtesë për Komisionin Zgjedhor dhe informime të zgjeruara të sigurisë për partitë, qeveritë lokale dhe kandidatët në zgjedhjet e ardhshme.
Jarvis e mbylli paralajmërimin pa ekuivoke: ndërhyrja e huaj nuk do të tolerohet.
Ndërhyrja kineze në politikën britanike vijon të jetë temë e nxehtë, sidomos pasi akuzat për spiunazh kundër dy personave të lidhur me parlamentin u tërhoqën më herët këtë vit, dhe ndërsa Pallati i Westminster shqyrton kufizime të reja për vizitorët nga Kina.

