Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot po vazhdon seanca e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka në dispozicion edhe një orë e gjysmë për të përfunduar fjalën e saj përmbyllëse, të nisur të premten.
Avokati Aiden Ellis deklaroi se, sipas provave të paraqitura gjatë procesit, nuk është vërtetuar që Krasniqi të ketë pasur përgjegjësi kryesore për komunikatat e UÇK-së, siç pretendohet nga Prokuroria.
“Nuk është provuar asnjëherë që z. Krasniqi ka pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat. Paragrafi 554 i dosjes së Prokurorisë është një shembull i qartë i dështimit të saj”, tha Ellis.
Nga ana tjetër, avokatja Venkateswari Alagendra kërkoi nga trupi gjykues që Krasniqi të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe të lirohet.
Ajo theksoi se Krasniqi ndodhet në paraburgim në Hagë prej 1.926 ditësh dhe argumentoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar është mbështetur në spekulime dhe pretendime të pambështetura.
“Sipas mbrojtjes, nuk ka asnjë dëshmitar që pretendon se Krasniqi ka keqtrajtuar ndokënd”, u tha në seancë, ndërsa u akuzua Prokuroria për përzgjedhje selektive të dokumenteve dhe dëshmive.
Fjala përmbyllëse e Prokurorisë nisi më 9 shkurt 2026 dhe përfundoi më 10 shkurt, kur kryeprokurorja Kimberly West kërkoi dënim unik prej 45 vjetësh burgim për secilin nga katër të akuzuarit.
Më 10 shkurt nisi faza e mbrojtjes. Mbrojtja e Hashim Thaçit përfundoi më 11 shkurt, ndërsa ajo e Kadri Veselit vijoi edhe më 12 shkurt. Pas saj, nisi paraqitja përmbyllëse e mbrojtjes së Rexhep Selimit.
Të gjithë avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e klientëve të tyre, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të provojë fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm.

