Biznesmeni dhe aktivisti i diasporës shqiptare në SHBA, Harry Bajraktari, ka reaguar ndaj një artikulli të gazetarit Xhemajl Rexha, duke e cilësuar atë të pavërtetë dhe të pabazuar.
Përmes një reagimi publik, Bajraktari mohoi pretendimet se ai ka lobuar në Shtetet e Bashkuara kundër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ai sfidoi publikisht autorin e shkrimit që të paraqesë qoftë edhe një fakt të vetëm që dëshmon një veprim të tillë.
Bajraktari theksoi se gjatë gjithë kohës ka mbështetur publikisht Osmanin dhe vazhdon ta konsiderojë atë si kandidaten e duhur për një mandat të dytë në postin e Presidentes.
Ai shtoi se gjatë gjithë jetës së tij është angazhuar për forcimin e institucioneve të Kosovës, duke theksuar se për të “Kosova është mbi gjithçka”.
Në reagimin e tij, Bajraktari sqaroi gjithashtu se nuk ka ambicie për t’u bërë president i Kosovës, duke theksuar se qëllimi i tij kryesor mbetet angazhimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO në vitet e ardhshme, përmes bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin amerikan.

