Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas publikimit në media të një audio-incizimi nga takimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive, i mbajtur më 20 janar 2026.
Në një reagim publik, Gërvalla e ka cilësuar këtë publikim si shqetësues dhe si një pasqyrë të gjendjes në të cilën, sipas saj, ende ndodhet sistemi prokurorial në Kosovë.
Ajo theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në atë prokurorial, ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve të vendit.
Sipas saj, ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat hynë në fuqi më 5 qershor 2025, shënuan fillimin e procesit të reformimit të sistemit prokurorial.
Gërvalla shtoi se këto reforma synojnë eliminimin e korporatizmit dhe grupimeve të ndryshme brenda sistemit, si dhe forcimin e drejtësisë përmes rritjes së profesionalizmit, llogaridhënies dhe transparencës.
Ministrja ka kritikuar gjuhën dhe diskutimet denigruese që, sipas saj, janë përdorur nga krerë dhe ish-krerë të sistemit prokurorial, duke theksuar se ato janë në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorëve.
“Nuk ndalemi së përsërituri se reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë sonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo ka bërë thirrje për zbatimin e plotë të reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, me qëllim që sistemi prokurorial të fitojë profesionalizmin, llogaridhënien dhe efikasitetin e nevojshëm.

