Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti fjalimin e përvitshëm mbi Gjendjen e Kombit para Kongresit, ku deklaroi se Amerika ka hyrë në një “epokë të artë” dhe se vendi, sipas tij, është rikthyer më i fortë se më parë.
Gjatë një fjalimi të gjatë, Trump theksoi arritjet që, sipas tij, ka shënuar administrata e tij në ekonomi dhe siguri.
“Inflacioni është në rënie të lirë, ndërsa Wall Street ka thyer çdo rekord gjatë mandatit tim. Kufijtë janë më të sigurt se kurrë dhe asnjë emigrant i paligjshëm nuk ka hyrë në nëntë muajt e fundit”, deklaroi presidenti amerikan.
Në sallën e Kongresit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe kombëtarja amerikane e hokejit në akull, kampione olimpike, e cila u nderua gjatë seancës.
Trump mbrojti gjithashtu politikat e tij tregtare dhe vendosjen e tarifave doganore, duke theksuar se ato kanë sjellë të ardhura të mëdha për vendin.
“Pavarësisht një vendimi të pafat nga Gjykata e Lartë, administrata jonë vazhdon të gjenerojë të ardhura nga tarifat”, tha ai, duke shtuar se këto të ardhura mund të zëvendësojnë taksat mbi të ardhurat.
Në politikën e jashtme, presidenti amerikan u ndal edhe tek Irani, të cilin e quajti “sponsori kryesor i terrorizmit në botë”, duke theksuar se SHBA nuk do të lejojë që Teherani të pajiset me armë bërthamore.
“Preferoj një zgjidhje diplomatike, por një gjë është e sigurt: nuk do të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore”, u shpreh Trump.
Ai foli gjithashtu për luftën kundër krimit të organizuar dhe kartelave të drogës, duke përmendur operacione të përbashkëta me autoritetet meksikane dhe sulme kundër rrjeteve të trafikut të drogës në Amerikën Latine.
Trump theksoi se këto veprime janë pjesë e strategjisë së tij të sigurisë, të cilën e quajti “paqe përmes forcës”, duke kërkuar edhe nga vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, presidenti amerikan deklaroi se administrata e tij po punon për t’i dhënë fund konfliktit, duke shtuar se sipas tij lufta nuk do të kishte nisur nëse ai do të ishte president në atë kohë.

