Deputetja e opozitës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimit të naftës në Kosovë, duke akuzuar qeverinë për mungesë veprimi dhe menaxhim të dobët të situatës ekonomike.
Në një reagim publik, Bajrami ngriti shqetësimin për nivelin aktual të çmimeve të karburanteve, duke vënë në pikëpyetje edhe vendosjen e kufirit maksimal të çmimit nga autoritetet. Sipas saj, ndikimi i naftës shtrihet në gjithë ekonominë, pasi çmimet e produkteve të importuara lidhen drejtpërdrejt me koston e transportit.
Deputetja theksoi se Kosova importon mbi 7 miliardë euro mallra në vit, çka e bën ekonominë shumë të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare, sidomos të energjisë dhe karburanteve.
Ajo kritikoi qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se duhej të ndërmerrte masa emergjente për të lehtësuar barrën për qytetarët dhe bizneset. Mes propozimeve të saj janë ulja e TVSH-së për karburantet nga 18% në 8% dhe përgjysmimi i akcizës, të paktën përkohësisht deri në stabilizimin e tregut.
Sipas Bajramit, institucionet duhej gjithashtu të kishin zhvilluar konsultime me odat ekonomike dhe përfaqësuesit e sektorit të naftës për të koordinuar masa konkrete përballë rritjes së çmimeve dhe inflacionit.
Ajo e lidh mungesën e reagimit me klimën politike në prag zgjedhjesh, duke akuzuar qeverinë se po përfiton nga rritja e të hyrave buxhetore si pasojë e çmimeve të larta.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur çmimet e energjisë dhe karburanteve janë kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit publik, me ndikim të drejtpërdrejtë në koston e jetesës në vend.

